Tuesday, May 20, 2008

P A V A R Ë S I A

P A V A R Ë S I A

Prishtinë

Republika e Kosovës

27.03.2008

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të këtij viti, sikur na ka plotësuar një zbrazëtirë të kamotshme në karakterin tonë, individual dhe shoqëror. Kjo ishte sa e pritur dhe e mëtuar nga breza të tërë, aq edhe e merituar në shumë aspekte.

Duke mos dashur të zhytem në interpretimet politike ballkanase të historisë, do të dëshiroja të cekë disa finesa që, në mos kruciale, kanë qenë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët.

Formimi ynë kombëtar linte shumë për të dëshiruar, kjo për faktin se ka ekzistuar një varfëri e theksuar ekonomike në familjet shqiptare, një terr i plotë informativ, si dhe një agjenturë e sofistikuar e serbëve, e transmetuar nëpërmes pushtetit dhe një pjese të klerit. Formimi arsimor ishte më i ulëti në Ballkan, madje deri në deceniet e para pas Luftës së Dytë Botërore, pjesa dërmuese ishin analfabetë.

Koncepti i të qenit i “i lirë” ishte shumë relativ; ishte idilik dhe i paqartë. Nuk ekzistonte një doktrinë apo rrymë politike, me platformë të fuqishme dhe program organizativ, edhe pse pati përpjekje për organizimin e këtyre lëvizjeve por shumica nuk kishin program gjithëpërfshirës dhe koncept të qartë politiko-luftarak të të vepruarit, me përjashtim të Lidhjes së Prizrenit.

Agjentura antishqiptare e transmetuar nëpërmes pushtetit, qe një gjenerator i fuqishëm i aparatit serb, por ekzistonte një antipati dhe rezistencë e spontane ndaj shumicës së këtyre politikave, rezistencë kjo që më vonë filloi të merrte forma të organizuara.

Por, një problem të veçantë paraqiste një pjesë e klerit mysliman pjesëtar të të cilit nuk kishin kualifikim përkatës, gjë kjo që i bënte vegla të aparatit shtetëror serb, me ose pa dije.

Mungesa totale e arsimimit ishte një nga faktorët vendimtar që e stoponte në vazhdimësi avancimin kombëtar dhe shoqëror të shqiptarëve; por pas viteve të 70-ta, situata filloi të ndryshoi për të mirë. Një numër shumë më i madh i të rinjve morën edukim dhe arsimim të mesëm dhe të lartë, ndërsa një numër i konsiderueshëm i përsosën aftësitë e tyre profesionale në vende tjera, gjë kjo që i vuri në kontakt me klasën intelektuale të atyre vendeve. Këto kontakte ndihmuan shumë në krijimin e një pasqyre më të qartë të komparacionit të rrethanave tona shoqëroro-politiko-sociale, me ato të shteteve tjera.

Gjatë viteve të fundit, shqiptarët e Kosovës kanë dhënë shumë dëshmi me të cilat vërtetohet se meritojnë ta marrin fatin e vet në duar të tyre. Kanë duruar dhjetëra vite varfëri, kanë kaluar qindra vite burg, dhe më e rëndësishmja, kanë derdhur gjak. Pra Kosova është një vend me histori, me një entitet të veçantë, me varre, me kisha e xhami, me traditë, me heronj dhe me një qëllim të qartë.

Një nga sfidat më të mëdha që na pret, përveç atyre ekonomiko-sociale dhe shoqërore, është ajo e të krijuarit të mendësisë së shtetit. Ne ende jemi të “shpërndarë”në aspektin territorial dhe në shumë raste ndihemi të pakënaqur me të arriturën tonë, Pavarësinë e Kosovës. Ne ende nuk e kemi të qartë raportin tonë me Shqipërinë dhe popullatën e konsiderueshme shqiptare në territore tjera. Shumë prej nesh ndihemi sikur iu kemi mbetur përjetësisht borxh këtyre vëllezërve.

Ka shumë arsye që ne ta gëzojmë pavarësinë sonë. Por po të hedhim një vështrim në të kaluarën, atëherë do të shohim se ne kemi të drejtë edhe juridike, edhe morale për të qenë të pavarur. Tani, shoqëria jonë është më homogjene, si në aspektin politik ashtu edhe në atë kombëtar. Tani duhet ti përmirësojmë standardet tona të jetesës dhe ta krijojmë një shoqëri ku krijohen vlera të mirëfillta, por edhe vlerësohen ato vlera. Vetëm me organizimin e jetës dhe shtetit ne mund tu përgjigjemi nevojave tona dhe sfidave të kohës.